Secondary Adv

Shqipëria, mbi dyfishin e BE-së për peshën e ushqimeve në shpenzimet e familjeve

Ushqimet dhe pijet joalkoolike zënë 34.5 për qind të shportës së konsumit në Shqipëri në vitin 2026, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian prej 16.3 për qind.

Shqipëria renditet e dyta mes vendeve të përfshira në të dhënat e Eurostat, pas Maqedonisë së Veriut.


Sipas të dhënave të Eurostat për peshat e mallrave dhe shërbimeve në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP), pesha e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri ka mbetur pothuajse e pandryshuar, duke zbritur nga 34.6 për qind në vitin 2025 në 34.5 për qind në 2026. Peshat e HICP-së nuk përfaqësojnë drejtpërdrejt buxhetin e një familjeje individuale, por pasqyrojnë strukturën e shpenzimeve monetare të konsumit që përdoret për llogaritjen e inflacionit.


Ushqimet dhe restorantet zënë rreth gjysmën e shportës

Pas ushqimeve, kategoria me peshën më të madhe në Shqipëri është ajo e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit, me 14.5 për qind, krahasuar me 10.7 për qind në BE. Të marra së bashku, ushqimet, pijet joalkoolike, restorantet dhe akomodimi përfaqësojnë rreth 49 për qind të shportës shqiptare të konsumit.


Transporti zë 8.3 për qind, mobilimi, pajisjet dhe mirëmbajtja e banesës 5.6 për qind, shëndetësia 5.3 për qind, ndërsa pijet alkoolike, duhani dhe produktet e lidhura me to 5.2 për qind.


Shqipëria dallon edhe për peshën e arsimit, që arrin në 4.6 për qind të shportës, kundrejt vetëm 1.2 për qind në BE. Nga vendet me të dhëna të disponueshme në Eurostat për vitin 2026, Shqipëria ka peshën më të lartë për këtë kategori.


Në të kundërt, banesa, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse zënë vetëm 5.8 për qind, krahasuar me 14.9 për qind në BE, duke e renditur Shqipërinë me peshën më të ulët të kësaj kategorie mes vendeve me të dhëna të disponueshme. Edhe transporti ka peshë më të ulët se mesatarja e BE-së prej 14.7 për qind, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare zënë vetëm 0.7 për qind, kundrejt rreth 3 për qind në BE.


Ballkani Perëndimor shpenzon më shumë për ushqime

Pesha e lartë e ushqimeve është karakteristikë edhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut kryeson me 40.1 për qind të shportës, e ndjekur nga Shqipëria me 34.5 për qind, Kosova me 32.8 për qind, Mali i Zi me 29.8 për qind dhe Serbia me 29.4 për qind.


Në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor për të cilat Eurostat ka të dhëna, ushqimet zënë mesatarisht rreth 33.3 për qind të shportës, ose afërsisht dyfishin e peshës në BE. Diferenca mbetet e dukshme edhe me vendet e tjera të rajonit, pasi në Rumani pesha është 27.4 për qind, në Bullgari 22.3 për qind, në Kroaci 21.8 për qind dhe në Greqi 18.9 për qind.


Kosova kryeson rajonin për peshën e transportit

Diferenca të mëdha mes vendeve të Ballkanit Perëndimor vërehen edhe në kategoritë e tjera. Në Kosovë, transporti zë 18.8 për qind të shportës, më shumë se dyfishi i Shqipërisë dhe mbi mesataren e BE-së prej 14.7 për qind. Në Serbi kjo peshë është 12.9 për qind, në Malin e Zi 11.5 për qind dhe në Maqedoninë e Veriut 10.4 për qind.


Shqipëria dhe Mali i Zi dallohen për peshën e restoranteve dhe akomodimit, përkatësisht 14.5 dhe 14.2 për qind. Në Maqedoninë e Veriut kjo kategori zë 8.7 për qind, në Kosovë 4.3 për qind dhe në Serbi 3.9 për qind.


Në Shqipëri, pesha e restoranteve dhe akomodimit ka rënë nga 14.9 për qind në 2025 në 14.5 për qind në 2026. Transporti është rritur nga 8 në 8.3 për qind, mobilimi dhe mirëmbajtja e banesës nga 5.3 në 5.6 për qind, ndërsa rekreacioni, sporti dhe kultura nga 6.2 në 6.4 për qind.


Në BE, tri kategori marrin 46 për qind të konsumit

Në Bashkimin Europian struktura e shpenzimeve është më e shpërndarë. Në janar 2026, pothuajse 46 për qind e totalit të shpenzimeve të konsumit përqendrohej në tri kategori kryesore: ushqime dhe pije joalkoolike, banesa, ujë dhe energji, si dhe transport.


Ushqimet dhe pijet joalkoolike zënë 16.3 për qind të shportës europiane, banesa, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse 14.9 për qind, ndërsa transporti 14.7 për qind. Krahasuar me janarin 2025, në BE është rritur pesha e rekreacionit, sportit dhe kulturës, restoranteve dhe akomodimit dhe arsimit, ndërsa rëniet më të mëdha janë regjistruar te transporti dhe informacioni e komunikimi.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat